Kthehu te lista
04 Prill 2019

Përkundër rezultateve, Qeveria e Kosovës ka mundur të përfitojë më shumë nga Projekti për Zhvillimin e Politikave

Zhvillimi i politikave

Procesi i zhvillimit të politikave ka një ndikim të gjerë dhe me interes për reformat në administratën publike të vendit. Falë mbështetjes nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mekanizma që ta përmirësojë këtë proces në fushën e legjislacionit dhe hartimit të politikave.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës për projektin “Zhvillimi i Kapaciteteve në Procesin e Bërjes së Politikave dhe Koordinimit në Kosovë”, i cili është financuar nga SIDA dhe zbatuar nga Zyra e Kryeministrit (ZKM). Qëllimi i këtij auditimi ishte të vlerësohet performanca e Projektit.

Auditimi ka nxjerrë përfundimin se projekti në përgjithësi ka arritur rezultate të rëndësishme duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve për zhvillimin e politikave brenda Qeverisë, duke futur mekanizma për kryerjen e analizave të politikave, analizën e ndikimit dhe mekanizmat mbështetës për përfshirjen efektive të shoqërisë civile.

Pavarësisht kësaj, ekziston rreziku që pas përfundimit të Projektit, Qeveria nuk do të ketë në dispozicion kapacitete të mjaftueshme për të kryer analizat e nevojshme të ndikimit ekonomik, planifikimit strategjik dhe komponenteve të tjera të procesit për zhvillimin e politikave dhe legjislacionit.

Raporti thekson se mungesa e një procesi të rregullt të komunikimit interaktiv nga ekspertët afatgjatë të Projektit me të gjithë përfituesit e synuar – ministritë e linjës dhe departamentet e ZKM-së mund të krijoj vështirësi në identifikimin e qartë të nevojave të tyre zhvillimore dhe plotësimin e këtyre mangësive. Kjo mund të reflektojë me humbjen e mundësisë për përfitim nga ndihma e ekspertëve të SIDA-së.

Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm, lidhur me këtë auditim ka deklaruar se “ka fusha ku Projekti ka kontribuar fuqishëm në zhvillimin e qëndrueshëm në procesin e hartimit të politikave duke hartuar udhëzime dhe doracakë praktikë, që janë vlerësuar pozitivisht nga përfituesit e projektit. Megjithatë, përkundër progresit të bërë nga Projekti në procesin e zhvillimit të politikave, disa mangësi të identifikuara mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e rezultateve të Projektit dhe në këtë drejtim efektivitetin e procesit të zhvillimit të politikave”.

Bazuar në gjetjet e raportit, autoritetet përgjegjëse, respektivisht Zyra e Kryeministrit dhe Projekti Sida, të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të përmirësuar metodologjitë e përdorura për ngritjen e kapaciteteve, rrisin komunikimin me përfituesit e synuar dhe të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme arritjen e rezultateve. Përmes kësaj procesi do të ketë ndikim më të madh në reformat e Administratës Publike si një nga elementët e rëndësishëm që korrespondon me aspiratën e vendit drejt integrimit në BE.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegz .

Të ngjashme