Kthehu te lista
30 Tetor 2018

Pacientët nuk po i marrin shërbimet shëndetësore me kohë

LogoPerWeb

Mosfunksionimi i pajisjeve mjekësore ka rezultuar me kohë të gjatë pritjeje për pacientët që kanë nevojë për trajtim. Pritjet për pacientë jo-spitalor për Rezonancë Magnetike shkojnë deri në një vit, ndërsa për Tomografinë e Kompjuterizuar, pritjet janë mesatarisht 30-45 ditë.

Duke pasur parasysh ndikimin e madh që ka funksionimi dhe menaxhimi i pajisjeve mjekësore në kujdesin shëndetësor, përkatësisht në jetën e qytetarëve, ZKA ka ndërmarrë një auditim të performancës për përcjelljen e zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit ”Përgjegjësia e monitorimit dhe menaxhimit në përdorimin e pajisjeve mjekësore. Rasti: Tomografia e Kompjuterizuar” i kryer në vitin 2015.

Auditimi përcjellës nxjerr në pah se asnjë nga rekomandimet e dhëna në vitin 2015 nuk janë adresuar plotësisht. Institucionet përgjegjëse si Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës, Qendra Klinike Universitare dhe Spitalet e Përgjithshme në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë, nuk kishin përgatitur plane veprimi, duke treguar mungesë të përgjegjësisë për të përmirësuar situatën për menaxhimin e pajisjeve mjekësore  dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm lidhur me këtë auditim ka deklaruar: “Ofrimi i shërbimeve me kohë dhe kujdesi shëndetësor ka ndikim të madh në cilësinë jetës dhe shëndetin e qytetarëve. Për një sistem shëndetësor funksional, teknologjitë shëndetësore janë thelbësore. Pajisjet mjekësore duhet të menaxhohen dhe monitorohen mirë, sepse luajnë rol vendimtar në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve, si dhe rehabilitimin e pacientëve”.

Vlera e pajisjeve speciale mjekësore në ShSKUK vlerësohet të jetë rreth 8 milion €, ndërsa shpenzimet për mirëmbajtje dhe servisim për vitet 2016 – 2017 janë rreth 4 milion €. Në mungesë të monitorimit dhe mirëmbajtjes me kohë, ka pasur raste kur disa pajisje ishin jashtë funksionit deri në gjashtë muaj gjatë vitit. Për më tepër, në disa raste kur Tomografitë e Kompjuterizuara (TK) kanë funksionuar jashtë parametrave të rekomanduar nga prodhuesi, duke rrezikuar kështu profesionalizmin e stafit mjekësor.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se veprimet e deritanishme nuk janë të mjaftueshme, prandaj, në rekomandimet e dhëna për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka kërkuar që të intensifikojnë përpjekjet për adresimin e plotë të rekomandimeve.

 

Raportin e plotë mund ta lexoni në  www.zka-rks.org

Të ngjashme