Kthehu te lista
07 Shtator 2020

Nis zbatimi i programit për trajnimet e brendshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Foto balline

Në kuadër të Projektit të Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejshëm i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës” dhe me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të brendshme për zbatimin e metodologjisë së përditësuar në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë sot ka filluar trajnimi tre javor i auditorëve të ZKA-së.

Ky trajnim është aktiviteti i parë në kuadër të programit të trajnimeve të brendshme që do të zhvillohen gjatë shtatorit dhe gjysmës së parë të tetorit 2020, në ZKA.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, përmes komunikimit elektronik me stafin, vlerësoi se trajnimi ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të ZKA-së në fushën e metodologjisë. Me këtë rast Osmani përmendi investimet e shumta që janë bërë në përditësimin e metodologjisë së auditimit në mënyrë që ZKA-ja të jetë sa më afër standardeve ndërkombëtare të auditimit si dhe të përvetësojë praktikat më të mira ndërkombëtare të planifikimit dhe zbatimit të auditimit.

Auditori i Përgjithshëm falënderoj drejtuesit e projektit dhe stafin e ZKA-së për punën e mirë të bërë deri më tani në zhvillimin e doracakëve dhe letrave të punës.

Për shkak të gjendjes pandemike me Covid-19 seancat trajnuese janë duke u mbajtur përmes platformës Zoom.

Realizimi i trajnimit është ndarë në dy pjesë/module. Në pjesën e parë parashihet mbajtja e trajnimit për zbatimin e metodologjisë për planifikimin e përgjithshëm dhe detaj në auditim, kurse në pjesën e dytë do të mbahet trajnimi për zbatimin e metodologjisë për fazën e ekzekutimit dhe të raportimit në auditim.

Faza e parë e këtij trajnimi ka filluar sot dhe do të zgjasë deri më 25 shtator, ndërsa faza e dytë do të organizohet gjatë muajit janar të vitit 2021.

Në fund të trajnimit auditorët do t’i nënshtrohen testimit si dhe do të pajisen me certifikatë.

Të ngjashme