Kthehu te lista
19 Mars 2019

Në kuadër të Zyrës Kombëtare të Auditimit nis punën Njësia për Luftimin e Mashtrimit

Vizita e Ambasadorit te SHBA

Sot, me 19 mars 2019, në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, z. Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm ka pritur në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë z. Philip S. Kosnett. Me këtë rast është shënuar edhe fillimi i punës së Njësisë për Luftimin e Mashtrimit e cila do të veprojë në kuadër të Departamentit për Çështje Ligjore në Auditim të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se “Kjo ka qenë një ditë e mirë për Zyrën Kombëtare të Auditimit, sepse kemi pasur mundësinë që  së bashku me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bisedojmë gjerësisht për veprimtarinë e  auditimit në Kosovë dhe punën e zyrës tonë. Poashtu, është një ditë e veçantë dhe një inaugurim formal i një njësie të veçantë që ka për detyrë të ndihmojë auditorët dhe do të shërbejë si urë lidhëse me sistemin e drejtësisë”.

Nga ana e tij Ambasadori Kosnett u shpreh se “Jam më se i lumtur që jam këtu për të shënuar fillimin zyrtar të Njësitit kundër mashtrimit brenda Zyrës Kombëtare të Auditimit.  Jam më se i lumtur sepse kjo zyrë është shembull i gjallë se si drejtësia dhe përparimi ndërthuren – se si një sistem efektiv i kontrollit mbi qeverinë vë themelet për përdorimin efikas të resurseve të Kosovës për të ndërtuar bazën për përparim më të madh dhe për paqe. Me themelimin e Njësitit kundër mashtrimit, Zyra e Auditimit po dërgon porosinë se nuk do të zmbrapset, përkundrazi po i shton përpjekjet për ta vënë në dukje korrupsionin dhe mashtrimin”, shtoi ai.

Themelimi i Njësisë për Luftimin e Mashtrimit është mbështetur nga USAID dhe do të jetë një mekanizëm kyç që do të mbështes auditorët se si të trajtohen këto raste. Kjo njësi do të koordinojë edhe komunikimin me institucionet përgjegjëse për sundimin e ligji. Gjithashtu, me ndihmën e USAID-s rreth 60 auditorë të ZKA-së kanë ndjekur trajnime profesionale se si t’i trajtojnë çështjet me elemente të dyshimit për mashtrim të hasura gjatë auditimit.

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani dhe Ambasadori Philip S. Kosnett në fund të takimit dhanë deklaratë për media.

 

Të ngjashme