Kthehu te lista
06 Shkurt 2018

Mos dërgimi i planeve të veprimit për adresimin e rekomandimeve në raportet e auditimit të performancës

LogoZyres

Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, 05/L-055, obligon organizatat buxhetore të audituara, që t’i dorëzojnë Zyrës Kombëtare të Auditimit planin e veprimit se si do t’i adresojnë rekomandimet e dhëna në raportin e auditimit.

Zyra Kombëtare e Auditimit në fund të vitit 2017, ka publikuar katër raporte të auditimit të performancës në të cilat janë dhënë rekomandime të dobishme për përmirësimin e programeve qeveritare në fushën e qeverisjes lokale, administrimit të burimeve njerëzore, shëndetësisë dhe në fushën e gjyqësorit. Megjithatë, një numër i vogël i Organizatave Buxhetore ka dërguar planet e veprimit për implementimin e rekomandimeve të dhëna.

Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani tërheq vëmendjen e publikut dhe të atyre që janë të ngarkuar me llogaridhënie se mos përmbushja e obligimeve ligjore, përkatësisht mos përgatitja e planeve të veprimit për adresimin e rekomandimeve tregon mungesën e vullnetit dhe llogaridhënies institucionale në udhëheqjen e aktiviteteve/programeve qeveritare në mënyrë efektive, efikase dhe ekonomike.

Organizatat buxhetore që ende nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor dhe nuk kanë dorëzuar planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit të performances janë:

Ministria e Administratës Publike, Ministria e Kulturës Rinise dhe Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë, Komuna e Prishtinës, Ferizaj, Pejë, Gjilan dhe Suharekë për “Marrëveshjet për shërbimet e veçanta dhe kontratat e punës për detyra specifike” i publikuar me datën 15 Nëntor 2017.

Komuna e Pejës, Ferizajt, Mamushes, Obiliqit dhe Graqanices, për “Procedurat dhe kontrollet në sistemin për menaxhimin e performancës komunale” i publikuar me datën 16 Nëntor 2017.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Themelore e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit, për “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore” i publikuar me datën 22 Dhjetor 2017.

Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Punëve te Brendshme, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, Komuna e Prishtinës, Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik për, “Efikasiteti dhe efektiviteti në implementimin e sistemit informativ unik të integruar shëndetësor” i publikuar me datën 28 Dhjetor 2017.

 

Të ngjashme