Kthehu te lista
07 Shtator 2020

Kryetarja e Kuvendit pret në takim Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmani

FOTO ++

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, i ka dorëzuar kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani -Sadriu, Raportin Vjetor të Auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Osmani u pritë në takim të veçantë nga kryetarja e Kuvendit dhe me këtë rast, e ka informuar atë për përmbylljen me sukses të vitit auditues, si dhe për sfidat, të cilat e kanë shoqëruar procesin, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia.

“Ka qenë sfiduese balancimi i nevojave për ruajtjen e shëndetit të auditorëve dhe paralelisht zbatimi i mandatit, duke siguruar cilësinë e punës sonë, por, përkundër vështirësive kemi arritur që me kohë të dorëzojmë Raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Buxhetit të Republikës të Kosovës për vitin 2019, duke e përmbyllur me sukses të plotë vitin auditues”, ka deklaruar Osmani.

Ndër të tjera, Auditori i Përgjithshëm, ka theksuar se fokusi parësor i punës së ZKA-së kanë qenë vlerësimet për cilësinë e raportimit financiar, dizajnimin dhe efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, si dhe pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Përmes procesit të auditimit është konstatuar se ka një progres të lehtë në fushën e raportimit financiar, por mangësitë dhe dobësitë më të theksuara vazhdojnë të mbeten në aktivitetet ekzekutive të buxhetit, ku shumë projekte kapitale fillohen pa fonde të mjaftueshme, dhe për shkak të kësaj, ato rrallëherë përfundohen me kohë, ndërkohë që mbikëqyrja nuk parandalon devijimet e shumta nga kushtet e përcaktuara me kontrata.

Me këtë rast në mënyrë të veçantë është kërkuar nga Qeveria që të forcojë disiplinën financiare, sepse shumat e detyrimeve të papaguara dhe llogarive të arkëtueshme kanë arritur shifra të larta, dhe pa dyshim janë sfidat kryesore të Qeverisë derisa regjistrimi dhe menaxhimi i pasurive paraqesin një problem të përsëritur prej shumë vitesh, dhe progresi në këtë fushë është i varfër, u shpreh Auditori i Përgjithshëm.

Gjatë vitit raportues janë audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë, 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave, 13 auditime të performancës si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve.

Zyra Kombëtare e Auditimit me 15 shtator fillon vitin e ri të auditimit dhe aktualisht në mënyrë intensive po punohet në planin vjetor të punës 2020/2021.

Të ngjashme