Kthehu te lista
27 Tetor 2020

Komunës së Ferizajt i kërkohet të rris nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm

Debati ne Ferizaj foto kryesore

Drejtuesit e Komunës së Ferizajt duhet t’i adresojnë dhe zbatojnë rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm. Kështu u tha të hënën në debatin e mbajtur në Ferizaj në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Të pranishëm në këtë debat ishin nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, Udhëheqësi i Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë komunal.

Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, prezantoi raportin dhe nxori në pah se  Komuna e Ferizajt ka marrë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes.

“Theksimi i çështjes është për shkak të keq-klasifikimit të shpenzimeve të cilat kryesisht kanë ndodhur nga pagesat e bëra direkt nga Thesari përmes procedurave përmbarimore. Përveç opinionit në raport kemi ngritur disa çështje që mbulojnë fusha të ndryshme të menaxhimit financiar, përfshirë të hyrat, shpenzimet, menaxhimin e pasurive, detyrimet etj. Po ashtu janë dhënë 20 rekomandime”, tha Bajraktari, duke shtuar se sa i përket zbatimit të rekomandimeve, nga 25 rekomandime sa kanë qenë në 2018, prej tyre 6 janë zbatuar plotësisht 2 pjesërisht, 12 nuk janë zbatuar si dhe 5 janë konsideruar të mbyllura. Ai foli edhe për bashkëpunimin me Komunën e Ferizajt gjatë kohës kur është realizuar auditimi, duke vlerësuar se krahasuar me vitin paraprak, bashkëpunimi me zyrtarët e komunës ishte dukshëm më i mirë.

Nga ana tjetër nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, tha se raporti i auditimit i vitit 2019 për Komunën e Ferizajt tregon gjendje më të mirë se raporti për vitin paraprak dhe ka më pak rekomandime. Ai u zotua se të gjitha rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm do të adresohen dhe zbatohen.

“Opinioni i raportit të auditimit për Komunën e Ferizajt për vitin 2019 është ‘Opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes’, pra është më i mirë se i vitit të kaluar. Kjo falë angazhimit dhe përkushtimit të të gjithëve. Por gabimet janë njerëzore dhe aty ku punohet mund të ketë gabime, sepse nuk jemi të përkryer. Bazuar në afatet ligjore ne kemi hartuar planin e veprimit për rekomandimet e dhëna në raport dhe jemi zotuar se do të zbatojmë ato dhe do të mbikëqyrim zbatimin e tyre një nga një”, theksoi Gavazi. Ai tha se komuna ka ndërmarr masa ndaj atyre që kanë bërë shkelje.

Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza tha se zbatimi i rekomandimeve të auditimit e ngrit mirëqenien e qytetarëve, nivelin e qeverisjes dhe mbi të gjitha e ruan buxhetin.  Ai shtoi se në Komunën e Ferizajt janë vërejtur dobësi në të gjitha hallkat e prokurimit, niveli i lartë i borxheve ndaj operatorëve si dhe nënshkrimi i kontratave mbi vepër pa kritere.

“Këtë vit ka një përmirësim të opinionit për shkak se ka një opinion të pamodifikuar por me theksim të çështjes. Komuna e Ferizajt ka një numër shumë të madh të rekomandimeve që ka pranuar nga Auditori i Përgjithshëm. Vitin e kaluar ka pranuar 25 rekomandime, kurse këtë vit ka pranuar 20 rekomandime. Megjithatë Ferizaj nuk qëndron mirë me nivelin e zbatimit të rekomandimeve. Prej 25 rekomandime vetëm 6 prej tyre janë zbatuar plotësisht që është jashtëzakonisht pak, prandaj ka shumë punë për tu bërë në mënyrë që niveli i zbatimit të rekomandimeve të jetë shumë më i lartë”, deklaroi Prebreza.

Të ngjashme