Kthehu te lista
16 Shtator 2020

Komunës së Dragashit i kërkohet zbatimi i rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm

Debati ne dragash +++

Në kuadër të projektit “Promovimi i rolit të Auditorit të Përgjithshëm / ZKA në Kosovë”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë Holandeze/ Ministria e Punëve të Jashtme, BIRN Kosova të mërkurën në Komunën e Dragashit organizoi debatin me temën “Ndikimi i pandemisë në të hyrat dhe shpenzimet e komunës”.

Të pranishëm në debat ishin kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Emine Fazliu, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e asamblistë të kësaj komune.

Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Emine Fazliu, tha se opinioni i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Dragashit për vitin 2019 është opinion i pamodifikuar, që do të thotë se pasqyrat financiare vjetore prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë.

Fazliu bëri me dije se gjetjet kryesore të raportit të auditimit të Komunës së Dragashit për vitin 2019 kryesisht kanë të bëjnë me klasifikimin jo adekuat të shpenzimeve, parregullsi në dhënien e pronave komunale me qira, dobësi në procedurat e mbajtjes së ankandit publik, mangësi në inkasimin e të hyrave për lejet mjedisore komunale, depozitim i vonuar i parasë publike si dhe dobësi në procesin e rekrutimit.

Tutje Fazliu theksoi se rekomandimet e Auditorit kanë për qellim përmirësimin e menaxhimit të  financave publike dhe forcimin e kontrolleve të brendshme në komunë dhe se zbatimi i plotë i tyre ndikon në rritjen e performancës së komunës dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Komuna e Dragashit ka zbatuar 38.9 për qind të rekomandimeve e që është pak mbi mesataren e zbatimit të përgjithshëm të rekomandimeve në nivel lokal prej 37 për qind. ZKA në raportin e auditimit për vitin 2018 kishte dhënë 18 rekomandime, prej tyre shtatë janë zbatuar, një ishte në proces, tri ishin të pa adresuara dhe shtatë janë vlerësuar si rekomandime të mbyllura. Kurse në raportin e auditimit për vitin 2019 kemi dhënë 15 rekomandime, prej tyre nëntë rekomandime janë të reja ndërsa të tjerat janë rekomandime që përsëriten ndër vite. ZKA kërkon nga kryetari i Komunës së Dragashit që të fokusohet te zbatimi i rekomandimeve”, deklaroi Fazliu.

Kurse kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, vlerësoi se mbajtja e këtij debati i kontribuon rritjes së transparencës të komunës. Shabani tha se Auditorin e Përgjithshëm e konsiderojnë si mekanizëm mjaftë të rëndësishëm për përmirësimin e qeverisjes dhe shërbimeve ndaj qytetarëve.

Në këtë kontekst ai tha se gjetjet e auditorit janë të pranueshme dhe të arsyeshme, me ç’rast u zotua se do të implementohen të gjitha rekomandimet. “Auditori i Përgjithshëm nga viti në vit na ka inkurajuar që ne të përmirësohemi dhe kemi përparim në këtë drejtim. Jemi në proces të implementimit të rekomandimeve dhe po punojmë për të përmirësuar gjendjen dhe qeverisjen në Komunën e Dragashit”, u shpreh Shabani. Ndër të tjera Shabani tha se pandemia Covid-19 ka ndikuar në uljen e të hyrave në Komunën e Dragashit.

Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, duke  prezantuar analizën për të gjeturat e auditorit, tha se pandemia në këtë komunë ka vështirësuar çështjen e të hyrave dhe shpenzimeve të parasë publike.

Ai theksoi se në raportin e shpenzimeve në gjashtëmujorin e parë vërehet një ekzekutim i ulët i shpenzimeve kapitale, pra vetëm 8 për qind e planit. Megjithatë sipas Prebrezes, nuk duhet t’i lihet faji vetëm pandemisë sepse Dragashi  ka qenë keq sa i përket shpenzimeve edhe vitin e kaluar, duke ekzekutuar vetëm 56 për qind të shpenzimeve të planifikuara kapitale.

“Madje Auditori në raportin e tij ka thënë se 60 për qind e tyre janë ekzekutuar në muajt e fundit të vitit dhe kjo praktikë duhet të ndryshohet. Shpenzimet kryesisht kapitale lidhen me prokurimin publik dhe në ketë fushë shumica e institucioneve kanë pasur çalime. Komuna e Dragashit  ka pasur vonesa për disa vite në projektin e ujësjellësit, pra banorët e 15 fshatrave mbesin pa ujë për shkak të shkeljeve që bëhen në prokurim, dhe Komuna e ka fajin e vet për zvarritjen e projekteve në prokurim”, theksoi ai, duke shtuar se Auditori ka gjetur lëshime edhe sa i përket dhënies se pronave me qira, problem ky që ka nisur moti, por që nuk është adresuar prej qeverisjes aktuale.

Prebreza vlerësoi se kur do të kemi zbatim të rekomandimeve në nivel prej 70 për qind do të jemi pjesë e BE-së. Ai tha se duhet të kemi sa më pak gjetje dhe ato që janë të merren seriozisht nga drejtuesit e institucioneve.

Të ngjashme