Kthehu te lista
28 Tetor 2020

Komunat duhet t’i marrin më seriozisht rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm

Foto shtime debati

Të mërkurën në Komunën e Shtimes u mbajt debati i radhës në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Në këtë debat morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismaili, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, Udhëheqësi i Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune.

Me këtë rast, Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, tha se debatet e tilla ndikojnë në përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe në rritjen e transparencës e llogaridhënies.

Bajraktari tha se për vitin 2019 kjo komunë ka marrë opinion të pamodifikuar, megjithatë janë evidentuar disa mangësi. Kurse sa i përket zbatimit të rekomandimeve ai bërë me dije se nga 17 rekomandimet e dhëna në vitin e kaluar, 7 janë zbatuar plotësisht, 1 pjesërisht, 4 nuk janë zbatuar fare kurse 5 janë konsideruar të mbyllura.

“Zyra Kombëtare e Auditimit edhe këtë vit ka kryer auditimin mandator për Komunën e Shtimes dhe për pasqyrat financiare ka dhënë  një opinion të pamodifikuar që do të thotë se pasqyrat kanë qenë të prezantuara drejt në të gjitha aspektet materiale. Megjithatë gjatë auditimit janë vërejtur disa mangësi të cilat janë evidentuar në raport dhe janë dhënë edhe rekomandimet për përmirësim. Sa i takon zbatimit të rekomandimeve, nga 17 sa ishin gjithsej, prej tyre 7 janë zbatuar plotësisht, 1 pjesërisht, 4 nuk janë zbatuar fare dhe 5 janë konsideruar të mbyllura. Ndërsa, për vitin 2019 janë dhënë 10 rekomandime”, deklaroi Bajraktari.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, vlerësoj se raporti i auditimit për vitin 2019 është një prej raporteve më të mira që ka pranuar komuna. Sipas tij, kjo tregon se pasqyrat financiare pasqyrojnë në përpikëri atë që është planifikuar dhe shpenzuar. Ismajli shtoi se komunat qëndrojnë keq sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit për shkak të disa ligjeve dhe marrëveshjeve që behën nga niveli qendror. Ai tha se komunat nuk mund t’i kryejmë obligimet që i prodhojnë kontratat kolektive. “Komuna e Shtimes ka marrë opinionin më të  mirë të mundshëm për pasqyrat financiare dhe kjo tregon se pasqyrat financiare pasqyrojnë në përpikëri gjithë atë që është planifikuar dhe shpenzuar. Shumica e rekomandimeve për vitin 2019 janë teknike dhe jo të gjitha janë në dorën tonë, prandaj pavarësisht performancës prapë do të ketë rekomandime. Komunat qëndrojnë keq sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve për shkak se niveli qëndror bën ligje dhe marrëveshje në dëm të nivelit lokal. Në veçanti në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit arrihen marrëveshje të cilat prodhojnë obligime të pa realizueshme për nivelin komunal”, deklaroi Ismajli,

Kurse redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, vlerësoj se ka përparim në Komunën e Shtimes meqë në të kaluarën kjo komunë në vazhdimësi ka pasur opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes. Mirëpo ai tha se komunat në përgjithësi qëndrojnë më keq sa i përket zbatimit të rekomandimeve të auditorit krahasuar me institucionet e tjera.

“Në dy vitet e fundit kjo nuk është përsëritur, pra nuk ka theksim të çështjes në raportin e auditimit të Shtimes. Kjo është pozitive dhe tregon se pasqyrat financiare të Shtimes janë të vërteta dhe paraqesin gjendjen reale. Kurse sa i përket numrit të rekomandimeve që Komuna e Shtimes ka pranuar nga Auditori i Përgjithshëm kemi një keqësim të situatës. Komunat në përgjithësi qëndrojnë më keq sa i përket zbatimit të rekomandimeve të auditorit krahasuar me institucionet e tjera. Ky është një sinjal që komunat duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim dhe t’i marrin me seriozisht rekomandimet e auditorit”, theksoi Prebreza. Ai bërë me dije se gjatë procesit të auditimit dobësi janë gjetur në prokurim, të punësimi me kontrata mbi vepër si dhe të emërimi i menaxherëve të kontratave.

Të ngjashme