Kthehu te lista
24 Dhjetor 2020

Komuna e Vitisë premton se do t’i zbatojë të gjitha rekomandimet e Auditorit

debati ne viti++++++++++++++++++++++

Debati i fundit në kuadër të projektit ‘Promovimi i rolit të Auditorit të Përgjithshëm/ZKA në Kosovë’, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës/Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, u organizua të enjten nga BIRN Kosova në Komunën e Vitisë. Në këtë debat morën pjesë kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Udhëheqësi i Auditimit, Astrit Bllaca, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune.

Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Astrit Bllaca tha se që nga viti 2016 Komuna e Vitisë vazhdon të ketë opinion të pamodifikuar. Kurse sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve shihet se Vitia po përmirëson proceset ekzistuese dhe kontrollet ku janë identifikuar gabimet dhe parregullsitë.  “Të gjeturat kanë të bëjnë me keqklasifikimin e shpenzimeve, dhënien me qira të pronës, dobësitë në menaxhimin e pasurive.  Për vitin 2018 janë dhënë 17 rekomandime, prej tyre 10 janë zbatuar plotësisht, 4 nuk janë adresuar si dhe 3 janë konsideruar të mbyllura. Kurse për vitin 2019 kemi dhënë 5 rekomandime”, deklaroi Bllaca.

Ndërsa kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, u zotua se do t’i zbatojë të gjitha rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm. Ai tha se sukseset e arritura janë rezultat i një pune të përbashkët.  “Kjo është një analizë e saktë nga ZKA dhe më duhet ta pranojë. Në vitet e fundit jemi përmirësuar shumë sepse në të kaluarën kemi pas më shumë rekomandime.  Së shpejti do të bëhemi komuna e parë në Kosovë që do t’i zbatojmë të gjitha rekomandimet nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Edhe pse disa rekomandime nuk varen vetëm nga ne, por edhe me nivelin qendror”, tha Haliti.

Ndërkaq, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza tha se Komuna e Vitisë është ndër komunat që ka pasur më së paku rekomandime, megjithatë nuk do të thotë se qeverisja është në nivelin më të mirë. Ai tha se kjo komunë duhet të fokusohet në përmirësimin e fushës së borxheve.“ Borxhet ndaj komunës kanë pësuar rritje të vogël, trendi i borxheve po vazhdon dhe ky është një shqetësim dhe brengë që duhet ngritur sepse borxhet në të gjitha komunat duhet të kenë një rënie. Bizneset dhe qytetarët ja kanë rreth dy milionë euro Komunës së Vitisë. Por edhe borxhet e komunës ndaj furnitorëve janë diku 870 mijë euro”, theksoi Prebreza.

Të ngjashme