Kthehu te lista
26 Nëntor 2018

Komuna e Gjilanit zotohet për zbatimin e plotë të rekomandimeve të auditimit

Debati ne Gjilan

Sot në Kuvendin Komunal në Gjilan është mbajtur debati rreth nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit të jashtëm nga Komuna e Gjilanit, i organizuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN). Të pranishëm në këtë debat ishin kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, zv/Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Ilir Salihu, këshilltarët komunal të Gjilanit dhe qytetarë e përfaqësues të shoqërisë civile nga kjo komunë.

Deabatit të sotëm i ka paraprirë analiza e raporteve të auditimit të jashtëm për katër vitet e fundit për Komunën e Gjilanit, të cilën e ka prezantuar, z. Visar Prebreza, redaktor i gazetës “Jeta në Kosovë”. Ndërsa, Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, theksoi se rekomandimet e dhëna nga Auditori janë të mirëseardhura dhe se janë duke punuar për adresimin e të gjitha çështjeve që janë ngritur në raportet e auditimit deri në zbatimin e plotë të të gjitha rekomandimeve.

Z. Haziri u shpreh se disa prej rekomandimeve kërkojnë më shumë kohë për t’u adresuar dhe në disa sektorë mungesa e burimeve njerëzore ka shkaktuar vonesa në realizimin e projekteve komunale.

Zv/Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Ilir Salihu ka theksuar rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit për përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimin më të mirë të parasë publike. Ai ka përgëzuar BIRN për këtë ndërmarrje dhe ka vlerësuar se debate të tilla janë të dobishme për rritjen e transparencës dhe senzibilizimin e udhëheqjes komunale për adresimin e rekomandimeve të auditimit.

Të ngjashme