Kthehu te lista
22 Nëntor 2018

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrton dy raporte të auditimit të kryera nga ZKA

KMFP shqyrton dy raporte te ZKA

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare  për vitin 2017 të Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.a si dhe raportin e auditimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, këtë javë ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka shqyrtuar raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare për vitin 2017, për Ndërmarrjen Publike Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.a.

Sipas raportit, pasqyrat vjetore financiare nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale, ndërsa mangësitë kryesore të identifikuara në këtë raport kanë të bëjnë me, pranimin e punëtorëve në punë si dhe borxhet e mëdha të kësaj ndërmarrje.

Në këtë takim është kërkuar nga “Trainkos” që të përgatisin raportet e pasqyrave financiare sipas standardeve ndërkombëtare. Gjithashtu, është vlerësuar përparimi që ka bërë kjo ndërmarrje në adresimin e rekomandimeve.

Pas debatit dhe diskutimeve nga ana e deputetëve, komisioni u darkodua që rekomandimet t’i adresohen Bordit drejtues dhe Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje.

Në vijim te mbledhjes,  u  shqyrtuan dhe më pas u miratuan  rekomandimet nga raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2017, të diskutuara në mbledhjen paraprake të komisionit dhe u vendos që ky raport të adresohet për shqyrtim në seancë plenare, se bashku me rekomandimet e komisionit.

Diskutimet  e raporteve të auditimit në komisionet parlamentare, në veçanti  të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, kanë për qëllim rritjen e llogaridhënies në sektorin publik.

Raportet e Zyrës Kombëtare te Auditimit, promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore.

 

Të ngjashme