Kthehu te lista
17 Qershor 2020

Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Transfere miraton njëzëri Raportin Vjetor të Performacës së Zyrës Kombëtare të Auditimit

AP ne Komisionin per Buxhet dhe Transfere

Komisioni për Buxhet dhe Transfere në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin Financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2019.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, prezantoi dhe arsyetoi në mënyrë të detajuar Raportin e Punës dhe Pasqyrat Vjetore Financiare 2019 të audituara.

Prezantimi është fokusuar në strukturën e buxhetit, qëllimet e përdorimit dhe rezultatet e arritura.

Deputetët kanë vlerësuar pozitivisht jo vetëm rritjen e numrit të auditimeve, por edhe rritjen e vazhdueshme të cilësisë së raporteve e të forcimit të kapaciteteve të ZKA-së dhe e cila është zbatuar me një rritje të lehtë të buxhetit të dhënë në dispozicion nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Duke folur për sfidat, Auditori i Përgjithshëm nënvizoi se shpenzimet e qirasë që marrin rreth 26 për qind të buxhetit të mallrave dhe shërbimeve duhet të tejkalohen duke siguruar një objekt nga organet kompetente të Kosovës dhe se është urgjente ndryshimi i kornizës ligjore për tejkalimin e dualizmave në sektorin e auditimit publik dhe harmonizimin me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Tutje duke folur për aktivitetin dhe punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Osmani i njoftojë deputetët e Kuvendit të Kosovës se ka pasur rritje të numrit të auditimeve, nga 98 auditime sa kane qenë në vitin 2016 tani janë rreth 130 auditime.

Deputetët kanë vlerësuar bashkëpunimin cilësor të ZKA-së në nivel rajonal dhe global i cili  është kurorëzuar me anëtarësimin e plotë në INTOSAI si dhe shprehen mbështetjen e tyre që të punojnë në ruajtjen dhe forcimin e mëtejmë të integritetit dhe pavarësisë në punën audituese të Auditorit të Përgjithshëm dhe ZKA-së.

Raporti financiar i ZKA-së mori miratimin e të gjithë anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere dhe i njëjti bashkë me rekomandime do të dërgohet për miratim në seancë të Kuvendit.

Të ngjashme