Kthehu te lista
21 Shtator 2020

Implementimi i rekomandimeve të Auditorit kontribuon në përmirësimin e menaxhimit të parasë publike

debati ne lipjan

“Qeverisja dhe Shpenzimi i Parasë Publike” ishte tema e debatit të radhës që u mbajt të hënën në Lipjan nga BIRN Kosova në kuadër të projektit “Promovimi i rolit të Auditorit të Përgjithshëm / ZKA në Kosovë”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë Holandeze/ Ministria e Punëve të Jashtme.

Të pranishëm në debat ishin kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, drejtori i Departamentit të Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, asamblistë të kësaj komune si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Drejtori i Departamentit të Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, tha se një debat i tillë nuk i zgjidh të gjitha problemet e menaxhimit dhe shpenzimit të parasë publike, megjithatë i kontribuon përmirësimit të menaxhimin të parasë publike.

Duke folur për raportet e auditimit të Komunës së Lipjanit për tri vitet e fundit, Bajraktari theksoi se vërehet një përparim i dukshëm duke marrë parasysh edhe numrin e rekomandimeve.

“Në vitin 2017 Komuna e Lipjanit ka pasur 15 rekomandime, në vitin 2018 nëntë rekomandime ndërsa për vitin 2019 janë dhënë gjashtë rekomandime. Lidhur me rekomandimet e vitit 2018 kemi konstatuar se tri rekomandime janë zbatuar, tri rekomandime kanë qenë në proces të zbatimit dhe tri të tjera janë konsideruar të mbyllura”, deklaroi Bajraktari.

Tutje Bajraktari tha se çështjet kryesore për vitin 2019 që janë identifikuar në Komunën e Lipjanit përfshijnë keqklasifikimin e shpenzimeve i cili ka ardhur për shkak të ekzekutimit të pagesave për pagat jubilare nga ana e thesarit përmes përmbarimeve gjyqësore; pagesën e disa zyrtarëve të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave;  ngecjen e investimeve kapitale meqë nuk është bërë planifikimi i duhur; si dhe problemet me llogaritë e arkëtueshme, çështje kjo me të cilën ballafaqohen të gjitha komunat.

Kurse kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se raporti i auditimit i kësaj komune për vitin 2019 është ndër raportet më të mira në nivel vendi. “Është opinion i pamodifikuar pa theksim të çështjes. Por megjithatë dobësi dhe të meta kemi të gjithë. Në proces e sipër duhet të implementojmë të gjitha rekomandimet që na vijnë prej raporteve të auditimit. Për çdo vit e kemi adresuar planin e implementimit të rekomandimeve në asamblenë komunale. Lipjani është i përkushtuar për të implementuar çdo rekomandim të Auditorit të jashtëm”, u shpreh Ahmeti.

Ndër të tjera ai përmendi vështirësitë me të cilat ballafaqohet komuna, duke thënë se alokimi dhe aprovimi i buxhetit nuk po ndodh në kohën e duhur. Sipas Ahmetit, kjo paraqet telashe për shumicën e komunave dhe organizatave buxhetore. Sidoqoftë Ahmeti deklaroi se buxheti i adresohet nevojave të qytetarëve të Lipjanit.

Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, duke  prezantuar analizën për të gjeturat e auditorit, tha se Komuna e Lipjanit ka pasur ngecje në ekzekutim të shpenzimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë, që ndoshta lidhet me pandeminë apo me inicimin e projekteve me vonesë.

Ai theksoi se në Lipjan vitin e kaluar 55 për qind e buxhetit të investimeve kapitaleve është ekzekutuar në tre mujorin e fundit dhe kjo është njëra prej dobësive që duhet të ndryshohet për shkak se në tre mujorin e fundit shpeshherë institucionet obligohen që të kryejnë punë të cilat ndoshta edhe nuk janë të cilësisë së duhur, vetëm e vetëm që buxheti mos të shkojë në suficit.

“Duhet të punohet që shtrirja e projekteve të jetë gjithmonë në gjithë muajt e vitit, planifikimi i prokurimit të bëhet shumë më herët në mënyrë që shpenzimi të mos koncentrohet në tre muajt e fundit për shkak se shpeshherë kushtet atmosferike pamundësojnë kryerjen e punëve në teren. Kjo është njëra prej pikave të dobëta e cila duhet të adresohet dhe normalisht kjo lidhet edhe me një të gjetur tjetër të Auditorit e cila flet për zvarritjen e projekteve në Komunën e Lipjanit. Komuna duhet të jetë më dorë shtrëngues sa i përket trajtimit të operatorëve ekonomik që i zvarrisin punët. Çështja e borxheve që i ka komuna ose që bizneset ja kanë komunës dhe sado që Komuna e Lipjanit qëndron shumë më mirë sa i përket borxheve që palët e treta ja kanë komunës, prapë një borxh prej 4.4 milionë euro është i lartë dhe duhet të adresohet aty ku ka mundësi”, deklaroi Prebreza.

Të ngjashme