Kthehu te lista
09 Maj 2020

Gazetarët e rinj përfitojnë njohuri rreth ZKA-së dhe raporteve të auditimit

Trajnimi BIRN per ZKA

Në kuadër të projektit “Përmirësimi i performancës në raportimin dhe monitorimin e Raporteve të Auditorit”, i organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), u mbajt kursi i parë i trajnimit të gazetarëve të rinj, me qëllim që të përfitojnë njohuri për trajtimin e raporteve të auditimit, të cilat janë produkt i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Kursi u zhvillua në tri seanca përmes platformës “online”. Në seancën e parë, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, mbajti një ligjëratë gjithëpërfshirëse, duke e shpjeguar rolin, misionin, mënyrën se si funksionon Zyra Kombëtare e Auditimit, si dhe detaje të tjera rreth procesit të përpilimit të raporteve të auditimit.

Trajnimi ishte interaktiv, ku gazetarët e rinj patën mundësinë që përmes pyetjeve t`i zhvillojnë edhe më tutje njohuritë  rreth fushës së auditimit.

Seanca e dytë u administrua nga Visar Prebreza, redaktor në KALLXO.com, ndërsa e treta u drejtua nga Labinot Leposhtica, koordinatori i zyrave ligjore në BIRN Kosovë.

Ky projekt përmban edhe kurse të tjera trajnuese, të cilat janë në proces të realizimit. Projekti është i përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë dhe ka për qëllim që të përmirësojë aftësitë e gazetarëve dhe monitoruesve në mënyrë që ata të mund të identifikojnë më mirë shkeljet në alokimin e parave publike. Këto seanca trajnimi, gjithashtu duhet të inkurajojnë gazetarët e rinj që të ndërmarrin gazetari hulumtuese.

 

Të ngjashme