Kthehu te lista
01 Dhjetor 2017

Financat publike dhe llogaridhënia në nivelin qendror

Nën organizimin e Kuvendit të Kosovës dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), me datë 1 dhjetor 2017 është mbajtur Konferencë me përfaqësuesit e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe atij për Mbikëqyrjen e Financave Publike me temë financat publike dhe llogaridhënia në nivelin qendror. Të ftuar në këtë Konferencë ishin edhe Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani dhe përfaqësues të ZKA-së, si dhe akterë tjerë vendor dhe ndërkombëtar në fushën e financave publike.

Me këtë rast, Auditor i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka mbajtur një fjalë të shkurtër për rëndësinë e auditimit publik dhe rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Për kompetencat e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe komunikimin efektiv me Kuvendin e Republikës së Kosovës znj. Vlora Mehmeti, Ndihmës Auditore e Përgjithshme, ka bërë një prezantim më të detajuar.

“Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes auditimit të jashtëm të institucioneve publike kontrollon nëse paraja publike po shpenzohet mirë dhe ka mekanizma të mjaftueshëm të kontrollit, përmes kësaj i ndihmon Kuvendit të mbajë llogaridhënës Qeverinë dhe institucionet publike për mënyrën se si ata i shpenzojnë paratë publike, si dhe i ndihmon atyre që janë të ngarkuar me ofrimin e shërbimeve publike të përmirësojnë performancen e tyre në dhënien e shërbimeve në nivel qendror dhe lokal” – ka thënë znj. Mehmeti në prezantimin e saj.

Znj. Mehmeti ka theksuar rëndësinë e shqyrtimit të raporteve të auditimit në Kuvend dhe jo vetëm nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike por edhe nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, me theks, marrja në konsideratë e të dhënave nga raportet e auditimit në procesin e hartimit të Ligjit të Buxhetit dhe gjatë shqyrtimit të raporteve vjetore të punës së Institucioneve të Pavarura.  Si rezultat i kësaj , z. Abdixhiku Kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Financa ftoi Auditorin e Përgjithshëm z. Osmanin që të merr pjesë në takimet e këtij komisioni për çështjet të cilat mund të rrisin efektivitetin e punës së këtij komisioni.

Të ngjashme