Kthehu te lista
11 Tetor 2018

Deputetët e Kuvendit të Kosovës vizituan Zyrën Kombëtare të Auditimit

VizitaDeputeteve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marr informatat dhe sqarimet  e nevojshme nga Zyra Kombëtare e Auditimit për auditimin e Buxhetit të Shtetit.

Në  ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit është mbajtur një punëtori e përbashkët me anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike (KMFP) dhe të Komisionit për Buxhet dhe Financa (KBF) të Kuvendit të Kosovës, ku është prezantuar Raporti Vjetor i Auditimit për vitin financiar 2017.

Kjo punëtori është organizuar nga Komisioni parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike me përkrahjen e GIZ – Projekti për Reformën e Financave Publike në Kosovë dhe ka synuar që deputetëve t’u ofrohen sqarimet e nevojshme lidhur me rezultatet përfundimtare të auditimit të Buxhetit të Shtetit për vitin financiar 2017.

Auditorët e angazhuar në auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore të Qeverisë për vitin 2017, kanë prezantuar në mënyrë të detajuar të gjitha gjetjet dhe rekomandimet që kanë rezultuar nga veprimtaria audituese dhe që synojnë përmirësimin e menaxhimit të financave publike në Kosovë.

Z. Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike (KMFP), dhe znj. Safete Hadërgjonaj, në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa kanë vlerësuar rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ata njëkohësisht kanë prezantuar kërkesat e deputetëve të këtyre komisioneve për sqarime shtesë për auditimin në fushën e menaxhimit të borxhit publik dhe aktiviteteve koncesionare. Gjithashtu, kanë cilësuar punën e ZKA-së si profesionale dhe të besueshme.

Për detajet e përmbajtjes së Raportit Vjetor të Auditimit vizitoni uebfaqen e Zyres Kombëtare të Auditimit: http://www.zka-rks.org/wp-content/uploads/2018/09/RVA-2017_Shqip.pdf

Të ngjashme