Kthehu te lista
26 Prill 2019

Debati për shpenzimet e reprezentacionit merr vëmendjen e publikut

Tryeza_BIRN_AP

Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportet e auditimit, në mënyrë të vazhdueshme ka dhënë rekomandime sa i përket përdorimit ekonomik të fondeve publike për qëllimet e reprezentacionit. Këto rekomandime nuk po zbatohen në mënyrë efektive.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani mori pjesë në debatin e organizuar nga BIRN me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Asociacionit të Komunave të Kosovës si dhe të organizatave të shoqërisë civile e mediave. Me këtë rast janë publikuar rezultatet e analizës së kryer nga BIRN për përdorimin e buxhetit për shpenzimet e pijeve dhe ushqimit si dhe të shpenzimeve të reprezentacionit.

Auditori i Përgjithshëm, ka prezantuar aktivitetet e ndërmarra për auditimin e planifikimit dhe përdorimit të fondeve publike për qëllime të reprezentacionit. Z. Osmani ka nënvizuar se shpenzimet për ushqim dhe pije kanë kaluar pragun prej 5% të grupit të shpenzimeve për mallra e shërbime dhe se ky fenomen duhet të ndalet. Kjo pjesëmarrje në strukturën e buxhetit është e lartë dhe shkon në drejtim të kundërt me parimin e ekonomicitetit.  Komunat gjatë vitit 2018, në emër të drekave zyrtare brenda dhe jashtë vendit kanë shpenzuar, rreth 3,5 milionë euro për ushqim dhe pije, ndërsa gjysmën e kësaj vlere e ka shpenzuar vetëm Komuna e Prishtinës.

Gjatë prezantimit, Auditori i Përgjithshëm, ka nënvizuar se është po aq e rëndësishme që për përdorimin e këtyre  fondeve të sigurohen kode adekuate, në mënyrë që të zbardhen dhe raportohen saktësisht qëllimet e furnizimit me pije dhe ushqim. Për të diferencuar përmbushjen e kompetencave të komunave në raport me shpenzimet tjera të reprezentacionit si dhe që të sigurohet vlera për para furnizimi me këto mallra e shërbime duhet të bëhet përmes një procesi transparent dhe konkurrues.

Përfaqësuesit e BIRN kanë prezantuar rezultatet e hulumtimit dhe kanë potencuar mosgatishmërinë për qasje në dokumentet zyrtare nga shumë institucione të cilat kanë arritur t’i kenë në dispozicion vetëm pas vendimeve përfundimtare të gjykatës. Hulumtimi ka rezultuar që dokumentacioni lidhur me këtë shpenzime është shumë i varfër dhe nuk shpalos informacion për qëllimet e përdorimit të këtyre fondeve.

Debati ka vazhduar nga përfaqësuesit komunal dhe në fokus ka pasur rritjen e transparencës por kanë nënvizuar edhe nevojën për këto kategori të shpenzimeve pasi secila nga komunat kanë aktivitet e tyre jubilare të cilat ndikojnë në rritjen e këtyre shpenzimeve.

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë shprehur nevojën e shpalosjes së informacioneve para publikut për më shumë informata për përmbajtën e këtyre shpenzimeve dhe ndalimin e përdorimit të tyre për artikuj të luksit.

Të ngjashme