Kthehu te lista
07 Tetor 2020

BE-ja i kërkon Kosovës zbatim më efikas të rekomandimeve të nxjerra nga ZKA-ja

objekti (2)

Puna dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit janë adresuar në Raportin e Progresit për Kosovën (për vitin 2020), i cili u publikua një ditë më parë, në kuadër të Pakos së Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE).

Komisioni Evropian ka vlerësuar institucionet e pavarura, veçanërisht ZKA-në dhe Avokatin e Popullit, duke thënë se po vazhdojnë të adresojnë të drejtën e qytetarëve për administrim më të mirë. Megjithatë, Komisioni u ka kërkuar institucioneve qeveritare që të tregohen me efikase për zbatim të rekomandimeve, të nxjerra nga ZKA-ja.

“Qeveria duhet të sigurojë zbatim më efikas të rekomandimeve të tyre”, theksohet ndër të tjera në raport.

Në Raport është përmendur edhe themelimi i Njësisë Kundër Mashtrimit, në kuadër të Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila siç përshkruhet nga Komisioni Evropian, i ka identifikuar 26 raste të mashtrimit të dyshuar në fushën e prokurimit publik, nga 12 sa ishin identifikuar në vitin 2018 (në vitin e parë të themelimit të Njësisë). Të 26 rastet tanimë janë dorëzuar në Prokurori të Shtetit.

Poashtu, në Raport të Progresit për Kosovën është cekur se “kuadri kushtetues dhe ligjor i Kosovës siguron pavarësinë funksionale, organizative dhe financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, të cilave Zyra iu bashkua në 1 janar 2020”.

“Kapaciteti institucional i Zyrës u rritë më tej në 170 staf, nga të cilët 141 janë personel auditimi. ZKA-ja po zbaton Planin e saj Strategjik të Zhvillimit 2018-2021, i cili përfshin objektivat, 103 treguesit e performancës dhe një kornizë monitorimi. Kohët e fundit ka themeluar një Njësi Kundër Mashtrimit, e cila aktualisht është e përbërë nga një zyrtar”, vazhdon Raporti.

Në vazhdim, Raporti ka theksuar se Zyra Kombëtare e Auditimit ka prezantuar procedurat e kontrollit dhe të sigurimit të cilësisë së auditimit dhe ka vazhduar të zbatojë një program certifikimi për auditorët.

“ZKA-ja finalizoi 15 raporte të auditimit të performancës, krahasuar me 13 në 2018 dhe 11 në 2017. Sado që ka një përpjekje të vazhdueshme, Zyra ndërmerr kryesisht auditime të rregullsisë dhe numri i auditimeve të performancës duhet të vazhdojë të rritet. Në mënyrë që të përmirësohet ndikimi i punës së auditimit, veçanërisht në nivelin lokal, Zyra ka punuar me organizata të shoqërisë civile, për të organizuar debate publike në nivel komune mbi rekomandimet e auditimit. Sipas raportit vjetor të saj 2018, përqindja e rekomandimeve të zbatuara plotësisht u rrit nga 34% në 39%. Ndërsa, bashkëpunimi i tij me komisionet e Kuvendit është përmirësuar”, theksohet në raport.

Në fund, Komisioni Evropian i ka kërkuar Kuvendit, që t`i ndjekë më sistematikisht rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, kurse vetë ZKA-së i ka kërkuar që të bëjë përpjekje të vazhdueshme në fushën e komunikimit, për të forcuar imazhin e saj të përgjithshëm.

Raporti i Progresit është instrument me anë të së cilit Komisioni Evropian e matë progresin e një vendi gjatë përmbushjes së agjendës evropiane brenda vitit kalendarik. Ky raport publikohet një herë në vit, zakonisht në fillim të tetorit të çdo viti.

Të ngjashme