Kthehu te lista
24 Mars 2021

Bashkëpunimi rajonal me fokus në zhvillimin e kapaciteteve për auditimet e performancës

Lajmi 24.03.2021

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve për auditimet e performancës si dhe përgatitjeve për projektin e tretë të auditimeve paralele, Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë ka filluar programin e trajnimit e-learning,  për Institucionet Supreme të Auditimit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.  Pjesë e këtij programi është edhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, përmes pjesëmarrjes se auditorëve nga departamenti i performancës, Alba Keqa dhe Elira Hashani.

Ky program do të zhvillohet përmes mentorimit të drejtpërdrejtë,  punëtorive e seminareve dhe punës së ekipeve në auditimet e tyre reale që të jenë në gjendje të zbatojnë aftësitë e tyre në praktikë.

Programi përbehet nga gjashtë module dhe për shkak të pandemisë do të mbahet kryesisht on-line dhe do  të zgjatë në një periudhe prej 6-10 muaj. Në kuadër të trajnimit janë parashikuar mësimet si dhe njohuri për  standardet e auditimit të performancës, përfshirë të gjitha fazat e auditimit. Gjithashtu pjesëmarrësit do të përfshihen në punë praktike në të gjitha fazat e auditimit konkret – nga parastudimi, ekzekutimi  deri në raportim, ku në te njëjtën kohë do të marrin udhëzime dhe mbështetje nga trajnerët.

Programi i trajnimit për auditimin e performancës është hartuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë dhe me mbështetjen e ISA-ve të tjera është zbatuar me sukses në rajonin e AFROSAI për shumë vite. Ky trajnim profesional  është zhvilluar edhe në ZKA gjatë vitit 2019, ku kanë marrë pjesë  dhe janë certifikuar të gjithë auditorët e performancës.

Trajnimet e sistemuara dhe të standardizuara, të zbatuara në bazë rajonale, kanë rezultuar të jenë shumë efektive dhe kontribuojnë në institucionalizimin e auditimit të performancës.

 

 

Të ngjashme