Kthehu te lista
02 Korrik 2019

Auditori i Përgjithshëm po merr pjesë në takimin vjetor të Komitetit të INTOSAI-it për Ngritje të Kapaciteteve

IMG_1819

Në Tokio të Japonisë, po mbahet takimi vjetor i Komitetit të INTOSAI-it  për Ngritje të Kapaciteteve, ku po merr pjesë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës z. Besnik Osmani dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Ilir Salihu.

Temë kryesore e takimit është “Eksplorimi i kapaciteteve për të mbështetur profesionalizmin e Institucioneve Supreme të Auditimit”. Përveç temës kryesore, po diskutohet edhe për katër shtyllat kryesore të profesionalizmit: pavarësia e institucioneve supreme të auditimit dhe ndikimi i tyre në menaxhimin më të mirë të fondeve publike; rëndësia e standardeve për të udhëhequr me profesionalizëm; komponenta e Burimeve Njerëzore  si parakusht për një ISA profesionale; si dhe vlera dhe rëndësia e matjes së perfomancës së ISA-ve.

Në margjinat e kësaj ngjarje, Auditori i Përgjithshëm, ka zhvilluar takime të veçanta me homologët e tij nga vende të ndryshme të botës siç janë: Auditori i Përgjithshëm i SHBA-ve, z. Gene Dodaro, atë të Japonisë, Dr. Mari Kobayashi, të Suedisë, znj. Helena Lindberg, të Arabisë Saudite, z. Al-Angari, të Kuvajtit, z. Adel Al-Sarawi, Drejtorin e Përgjithshëm të Iniciativës për Zhvillim të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (IDI – INTOSAI), si dhe me Zëvendës-kryesuesin e Komitetit të INTOSAI-t për Ngritje të Kapaciteteve.

Fokusi kryesor i bisedës gjatë këtyre takimeve ishte integrimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit në organizatat globale dhe rajonale tё Institucioneve Supreme të Auditimit pёr sektorin publik. Po ashtu, është biseduar edhe për mundësitë e përfitimit nga programet profesionale si dhe mundësitë e shkëmbimit të përvojave bilaterale dhe ndërinstitucionale.

Në takimin vjetor të Komitetit të INTOSA-it për Ngritje të Kapaciteteve po marrin pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme të botës. Komiteti për Ngritje të Kapaciteteve është një nga katër organet kryesore të INTOSAI-it, i cili mbështet iniciativat për ndërtimin e aftësive dhe zhvillimin e kapaciteteve të Institucioneve Supreme të Auditimit, përmes trajnimeve, asistencës teknike dhe aktiviteteve të tjera zhvillimore.

INTOSAI vepron si një organizatë profesionale ombrellë për Insitucionet Supreme të Auditimit dhe ka të anëtarësuar rreth 190 Institucione Supreme të Auditimit.

Të ngjashme