Kthehu te lista
31 Janar 2018

Auditori i Përgjithshëm kërkon vëmendje në rritjen e qëndrueshmërisë së masave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe cilësisë së ajrit

MbrojtjaMjedisit

Nisur nga rritja e shqetësimit publik dhe veprimet e fundit të ndërmarra nga institucionet kompetente, e sjellim në vëmendjen e publikut dhe atyre që janë të ngarkuar me llogaridhënie publike që Zyra Kombëtare e Auditimit në fund të vitit 2016, ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Qëndrueshmëria e masave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit”.

Subjekt i auditimit tonë ishte qëndrueshmëria e zbatimit efektiv të masave të vendosura në dokumentin e Planit Kombëtar për Veprim në Mjedis dhe sfidat e implementimit të masave nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me rolin udhëheqës që ka ajo në raport me objektivat e përcaktuara në këtë plan. Rekomandimi kryesor i dhёnё nё kёtё auditim dhe i cili duhej të përmbushej brenda një viti ishte: ‘Të rishikohen masat e përcaktuara në Planin Kombëtar për Veprim në Mjedis mbi një analizë reale, duke përcaktuar objektiva reale dhe të arritshme’.

Lidhur me këtë Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, u bënë thirrje Institucioneve Përgjegjëse që t’i trajtojnë me prioritet rekomandimet të cilat rezultojnë nga auditimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e ajrit për të përmirësuar gjendjen aktuale. Po ashtu thekson se është shqetësues fakti që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si bartës kryesor i përgjegjësisë, nuk ka përgatitur planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve të dhëna.  Kjo tregon për mungesën e vullnetit dhe përgjegjësisë institucionale që shqetësimet lidhur me mjedisin të adresohen me kohë.

Duke e vlerësuar mjedisin e sigurt jetësor dhe mbrojtjen e tij si çështje vendimtare për shëndetin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit, Zyra Kombëtare e Auditimit, në të kaluarën ka kryer disa auditime të performancës ku ngritën çështje për tu adresuar me qëllim përmirësimin e mëtutjeshëm të situatës. Ndërsa, aktualisht, është pjesë e auditimit të përbashkët evropian “Cilësia e Ajrit” i iniciuar nga EUROSAI dhe i udhëhequr nga Institucioni Suprem i Auditimit i Holandës dhe Polonisë. Objektivë e këtij auidtimi është vlerësimi i masave të ndërmarra nga shtetet pjesëmarrëse për të adresuar problemin e ndotjes së ajrit. Me fokus do të trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me kornizën legjislative, institucionale si dhe monitorimin, zbatimin dhe raportimin e gjendjes së cilësisë së ajrit. Raporti i Auditimit për Cilësinë e Ajrit pritet të publikohet së shpejti.

Të ngjashme