Kthehu te lista
28 Qershor 2019

Auditori i Përgjithshëm, ka informuar Kryetarin e Kuvendit të Kosovës për rezultatet e auditimit për vitin 2018

Takimi i AP me kryetarin e Parlamentit

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka pritur në një takim të veçantë Auditorin e Përgjithshëm z. Besnik Osmanin.

Me këtë rast, z. Osmani ka njoftuar z. Veselin, që të gjitha raportet e auditimit do të përfundojnë sipas afatit ligjor dhe ka prezantuar çështjet kryesore lidhur me pasqyrat vjetore financiare të organizatave buxhetore dhe ndërmarrjeve publike dhe dobësitë e evidentuara nga këto raporte. Në mënyrë të veçantë është biseduar për auditimet e ndërmarra me kërkesë të Kuvendit si ndërmarrjet publike: Telekomi dhe Posta e Kosovës, Grantet dhe Subvencionet në sektorin e bujqësisë, si dhe për procesin e auditimit të Radio Televizionit të Kosovës. Auditori i Përgjithshëm ka ritheksuar për përkushtimin e tij për të përmbushur mandatin kushtetues e ligjor të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes e të llogaridhënies në menaxhimin e fondeve publike dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Gjatë bashkëbisedimit vëmendje i është kushtuar nivelit jo të kënaqshëm të zbatimit të rekomandimeve dhe mungesës së një angazhimi sistematik nga subjektet e audituara për adresimin e tyre.

Kryetari Veseli ka nënvizuar nevojën që të gjitha institucionet publike kanë obligim menaxhimin efikas të parasë publike dhe të fuqizojnë qeverisjen e mirë. Ai nënvizoj se transparenca dhe llogaridhënia nuk janë vetëm parime kushtetuese sa i përket shpenzimit të parasë publike, por janë detyrime ligjore që çdo institucion duhet t’i ndjek me përpikëri. Ai  ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që t’i shikojë me vëmendje të gjeturat e raporteve të auditimit dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Në relacion me Zyrën Kombëtare të auditimit,  Kryetari Veseli, ka deklaruar mbështetjen e plotë të Kuvendit të Kosovës dhe nevojën që të forcohet edhe më tej pavarësia dhe integriteti i saj, sikurse edhe t’i jepen resurset e nevojshme financiare për kryerjen e detyrave.

Të ngjashme