Kthehu te lista
15 Tetor 2020

Auditori i Përgjithshëm inkurajon komunat në veri që t’i zbatojnë rekomandimet e auditimit

Debati ne Veri FOTOO1

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, sot  mori pjesë në debatin publik të mbajtur në Mitrovicën e Veriut për të diskutuar raportet e auditimit për komunën e  Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.

Debati është organizuar në kuadër të zbatimit të projektit trepalësh në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Qeverisë Holandeze dhe BIRN Kosova “Roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe i qytetarëve në mbikëqyrjen e të ardhurave dhe shpenzimeve komunale”.

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka vlerësuar bashkëpunimin e menaxhmentit dhe personelit të katër komunave gjatë procesit të auditimit si dhe ka inkurajuar kryetarët e komunave veriore që të ndërmarrin veprimet e duhura për t’i zbatuar rekomandimet e auditimit, pasi kjo do të rezultonte me qeverisje më të mirë dhe shërbime më cilësore për qytetarët. Ai bërë me dije se komunat vazhdojnë ta kenë shkallën më të ulët të zbatimit të rekomandimeve 37 për qind krahasuar me nivelin qendror 41 për qind dhe institucionet e pavarura 71 për qind.

Osmani tha se sikurse institucionet e tjera, edhe komunat në veri duhet ta shohin auditimin si një mekanizëm të mirë për të përmirësuar qeverisjen.

Në raportin e auditimit për vitin 2019, Komuna e Mitrovicës Veriore ka marrë opinion të pamodifikuar, si dhe i janë adresuar 12 rekomandime. Ndërsa nga 10 rekomandimet e 2018-tës, dy janë zbatuar, tri ishin në proces, katër nuk janë adresuar, dhe një ishte mbyllur. Sipas të gjeturave të raportit të auditimit për vitin 2019 në Komunën e Mitrovicës Veriore mangësi janë vërejtur në menaxhimin dhe arkëtimin e të hyrave nga tatimi në pronë; menaxhimin e personelit; mallra dhe shërbime; investime kapitale; subvencione dhe transfere si dhe në menaxhimin e pasurive.

Komuna e Leposaviqit në raportin e auditimit për vitin 2019 ka marrë opinion të pakualifikuar, si dhe i janë adresuar pesë rekomandime. Nga 10 rekomandimet e vitit të kaluar, pesë janë zbatuar plotësisht, tri pjesërisht si dhe dy janë të mbyllura. Rezultatet e auditimit të 2019-së për Leposaviqin tregojnë se menaxhimi financiar dhe kontrolli ka rezultuar me dobësi dhe nevojiten përmirësime në moszbatimin e ligjeve për mbledhjen e të hyrave, në kontratat e zjarrfikësve, planifikimin dhe realizimin e prokurimit, mungesën e regjistrave të pasurisë, si dhe mosfunksionimi i auditimit të brendshëm.

Komuna e Zveçanit ka marrë opinion të pamodifikuar në raportin e auditimit për vitin 2019, si dhe i janë dhënë nëntë rekomandime. Nga 15 rekomandime e 2018-së, katër janë zbatuar plotësisht, një pjesërisht, shtatë ishin të përsëritura dhe tri janë të mbyllura. Në raportin e auditimit të vitit 2019 për Zveçanin janë evidentuar keq klasifikimi i shpenzimeve; moszbatimi i ligjeve për mbledhjen e të hyrave; anashkalim i procedurave të rekrutimit; mosazhurnim i kontratave të punës dhe listave të pagave; dobësi në menaxhimin e shpenzimeve për automjete; dobësi në dhënien dhe monitorimin e subvencioneve si dhe parregullsi në menaxhimin dhe shpalosjen e pasurive në PFV.

Ndërkaq gjetjet kryesor të raportit të auditimit për Komunën e Zubin Potokut gjatë vitit 2019 kanë të bëjnë me moszbatimin e ligjeve për mbledhjen e të hyrave; dosjet e punonjësve të pakompletuara, mungesën e regjistrave të pasurisë; mos themelimin e njësisë së auditimit të brendshëm si dhe dobësive në raportimin e obligimeve të papaguara. Për 2019-në Zveçanit i është dhënë opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes, si dhe i janë adresuar gjashtë rekomandime. Nga 12 rekomandime e dhëna për vitin 2018, tri janë zbatuar plotësisht, një pjesërisht, pesë ishin të përsëritura dhe tri janë të mbyllura.

Të ngjashme