Kthehu te lista
05 Qershor 2019

Auditori i Përgjithshëm dhe Avokati i Popullit, kërkojnë mobilizimin e institucioneve për të siguruar mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për qytetarët

Mjedisi i sigurte dhe i shendetshem

Në Ditën Botërore të Mjedisit, Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit në Kosovë organizuan tryezë të përbashkët me temën “Mjedisi i sigurt dhe i shëndetshëm – e drejtë e njeriut dhe përgjegjësi Kushtetuese”.

Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, në fjalën e tij,  tha se qëllimi i organizimit të kësaj tryeze është që te dy institucionet kushtetuese të ndërtojmë një aleancë, për më shumë ndikim për çështjet e rëndësishme për qytetarët e vendit bazuar në mandatin tonë: – njëra për të mbrojtur të drejtat e njeriut e tjetra për të treguar se si përdoren burimet publike nga shfrytëzuesit e fondeve publike. Kështu, ne synojmë të rrisim vetëdijen e publikut rreth çështjeve të rëndësishme dhe të tërheqim vëmendjen e politik-bërësve, si dhe të nxisim veprime konkrete në këtë drejtim. “Të kemi tokë, ujë e ajër të shëndetshëm duhet të sigurohemi që të gjitha organizatat publike dhe jo publike që kanë ndikim dhe  përgjegjësi po e kryejnë punën e vet mirë” theksoi Osmani.

Tutje, z Osmani shtoi se Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes auditimeve i është qasur këtij problemi në dy perspektiva: duke bërë auditime të rregullta financiare kemi shtuar komponentën e qeverisjes së mirë, përmes së cilës, kemi mundësi të japim rekomandime të vlefshme se si puna e institucioneve mund të bëhet më efikase e me këtë edhe shërbimet kundrejt qytetarëve; si dhe duke bërë auditimeve të veçanta në tema të rëndësishme, të nxjerrim në sipërfaqe situatën reale dhe po japim rekomandime konkrete si kjo mund të përmirësohet.

Megjithatë, në Kosovë, ne kemi dështuar që t’i sjellim para përgjegjësisë publike apo drejtësisë, ndotësitë e ajrit e ujit, dëmtuesit e natyrës siç kemi dështuar të sjellim qeverisje efektive për zbatimin e politikave dhe strategjive që vet i kemi adaptuar, përfundoi ai.

Avokati i Popullit, z.Hilmi Jashari, është shprehur se ndien kënaqësi të veçantë meqenëse rrallë herë ndodh që në Kosovë dy Insitucione të Pavarura, Avokati i Popullit dhe Auditori i Përgjithshëm, kanë dhënë kontribut lidhur me vlerësimin e gjendjes mjedisore në vend dhe për më tepër kane dalë me rekomandime konkrete drejtuar autoriteteve publike lidhur me veprimet që ata duhet të ndërmarrin për të përmirësuar dhe për të jetësuar garancinë kushtetuese, që vendi jonë i ka jetësuar në dispozitën 52 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po ashtu, ai theksoi se zhvillimi ekonomik në Kosovë, nuk duhet të kushtëzohet dhe të shkoj në dëm të të drejtave të njeriut.

Përfaqësuesja nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Znj. Annette Fath Lihic, pasi ka folur për rëndësinë e mjedisit në jetën dhe shëndetin e popullsisë, ka ngritur çështjet e dala nga Raporti i Progresit për vendin, e që lidhen me çështjet e mjedisit. Ajo tha që sipas këtij raporti, Kosova ende është në fazat e hershme dhe asnjë progres nuk është arritur lidhur me këtë çështje. Problemet mjedisore në Kosovë dhe mungesa e vullnetit politik të institucioneve në ndërmarrjen e masave adekuate për mbrojtjen e mjedisit kanë ndikuar në mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve.

Në këtë tryezë u diskutua edhe lidhur me rolin e  Kuvendit në drejtim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit në vend, me ç’rast deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherit anëtar i Komisionit të Kuvendit të Kosovës, për Bujqësi, Pylltari dhe Planifikim Hapësinor, z.Sali Zyba, ngriti shqetësimin e mosfunksionimit të te gjitha hallkave në zinxhirin e institucioneve.

Tema të tjera të diskutuara ishin: roli i shoqërisë civile në mbrojtjen e mjedisit, roli i prokurorisë në parandalimin e problemeve mjedisore, roli i Policisë së Kosovës në parandalimin e degradimit të mjedisit. Gjithashtu, edhe nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë u paraqiten veprimet e ndërmarra nga kjo ministri në drejtim të ushtrimit të kompetencave ligjore.

Kjo tryezë u organizuar në Ditën Botërore të Mjedisit. Qëllimi i kësaj tryeze ishte që të  vihet në pah rëndësia dhe bashkëpunimit i institucioneve  në zbatimin e rekomandimeve adresuar institucioneve të nivelit qendror dhe nivelit lokal me qëllim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit në vend. Në tryezë morën pjesë dhe shprehën opinionet e tyre, përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, të Zyrës së BE-së në Kosovë, të organeve të drejtësisë, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, institucioneve tjera të nivelit qendror dhe lokal, të Organizatave Ndërkombëtare në vend si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Të gjithë të pranishmit, u pajtuan që për të pasur një mjedis më të shëndetshëm, nevojitet një mobilizim, bashkëpunim dhe koordinim i mirëfilltë i të gjithë dikasterëve institucional, shoqërisë civile dhe qytetareve.

Të ngjashme