Kthehu te lista
29 Shtator 2020

Auditori i Përgjithshëm dhe ambasadorja e Holandës morën pjesë në debatin publik për mbikëqyrjen e të ardhurave dhe shpenzimeve komunale

debati ne vushtrri

Në kuadër të projektit trepalësh në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Qeverisë Holandeze dhe BIRN Kosova sot në Komunën e Vushtrrisë u mbajt debati “Roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe i qytetarëve në mbikëqyrjen e të ardhurave dhe shpenzimeve komunale” i cili ka për qëllim të promovojë mbikëqyrjen publike për të nxitur rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, tha se organizatat buxhetore duhet ta shohin auditimin si një proces të dobishëm dhe bazë të fortë për të avancuar menaxhimin e tyre financiar, siguruar kontrollet e brendshme dhe rritur performancën.

Auditori i Përgjithshëm ka theksuar se zbatimi i rekomandimeve, në përgjithësi ka shënuar një rritje të lehtë, megjithatë, shkalla e zbatimit nuk është ende e kënaqshme, sidomos tek niveli lokal.  “Ne vazhdojmë të inkurajojmë drejtuesit e institucioneve publike që të rrisin angazhimin institucional për zbatimin e rekomandimeve të auditimit, pasi kjo do të rezultonte me qeverisje më të mirë dhe shërbime më cilësore për qytetarët. Zbatimi i rekomandimeve të auditimit ka shënuar një rritje të lehtë viteve të fundit, por në përgjithësi shkalla e zbatimit nuk është ende e kënaqshme”, u shpreh Osmani.

Në raportin e auditimit për vitin 2019, Komuna e Vushtrrisë ka marrë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes, si dhe i janë adresuar 19 rekomandime. Komuna ka dorëzuar planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve, ndërsa Zyra Kombëtare e Auditimit do të përcjellë procesin e zbatimit sipas planit në auditimin për vitin 2020.

Të pranishëm në këtë debat ishin edhe Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezo, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune.

Ndërkohë ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezo, tha se qëllimi i këtij projekti është që të mbështetet misioni i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe të sigurojë se paraja në Kosovë është shpenzuar në bazë të vendimeve të drejta dhe për të mirën e qytetarëve. “Qëllimi ynë është që të rritet transparenca, llogaridhënia për të gjithë kosovarët në çdo nivel,  kjo rrit besimin në institucionet dhe i jep qytetarit ndjenjën se institucionet punojnë për të. Ky është një rrugëtim i vështirë, por është e rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Është me rendësi për Kosovën në përgjithësi dhe luan rol të madh drejt rrugëtimit të Kosovës në BE. Prandaj jam krenare që kemi ofruar këtë mbështetje sepse është me rendësi për të gjitha palët e përfshira dhe për qytetarët e Kosovës sundimi i ligjit, transparenca, llogaridhënia, dhe ky projekt luan rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, u shpreh Lobbezo, duke shtuar se Kosova dhe Holanda kanë punuar shumë se bashku në dy dekadat e fundit dhe janë mike të mira.

Kurse kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm si sheh si një mundësi që të përmirësojë praktikat e menaxhimit të parasë publike. Ai shprehu gatishmërinë për t’i zbatuar të gjeturat e auditorit në raportin e auditimit për vitin 2019. “E pranoj që nuk është bërë mjaftueshëm në adresim të rekomandimeve për sa i takon raportit të auditimit për vitin 2018. Qëndrojmë shumë më mirë në zbatimin  e rekomandimeve nga njësia e auditorit të brendshëm, por jo tek auditori i jashtëm dhe një prej arsyeje janë disa probleme strukturale që i përmenda tek keqklasifikimi, planifikimi dhe menaxhimi”, deklaroi Tahiri.

Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, tha se secili kryetar i komunës apo udhëheqës i institucioni duhet ta merr raportin e auditorit si një udhërrëfyes për punën dhe vizionin  e tij  se si t’i adresoj të gjitha shkeljet. Ai tha se Komuna e Vushtrrisë qëndron mirë sa i përket ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale në gjashtëmujorin e parë, megjithatë sipas Prebrezes, një prej elementeve shqetësuese ka qenë ekzekutimi shumë i vogël për subvencione. Gjithashtu sektori i prokurimit  është keq dhe kërkon një intervenim më të shpejtë për adresim. Prebreza tha se Vushtrria qëndron keq në aspektin e zbatimit të rekomandimeve të auditorit dhe për të pasur progres në këtë fushë duhet të bëjë një plan të mirë.

Të ngjashme